Programi për hulumtim dhe publikime është inicuar me qëllim të intensifikimit të hulumtimit në fushën e artit si dhe involvimit të ekspertëve të fushës së teorisë dhe historisë së artit në projekte të cilat rezultojnë me publikime që dokumentojnë proceset e krijimtarisë gjatë historisë së koleksionit të GKK, por edhe rrethanat aktuale nën të cilat krijohet arti në Kosovë. Njëri nga projektet që u realizua ishte bashkëpunimi me Iniciativën për Histori Gojore dhe Erëmirë Krasniqin, me një seri intervistash të historisë gojore dhe të publikuara në video dhe në formë të librit. Kjo seri e intervistave dokumenton jetën e artistëve dhe profesionistëve të artit të cilët kanë punuar në Kosovë dhe kanë qenë pjesë e skenës së artit që nga vitet 1970, dhe të cilët përgjatë dy dekadave kanë fituar njohje në hapësirën artistike jugosllave.