Imazhe Migruese

Imazhe Migruese, një ekspozitë nga Bora Baboçi, shqyrton mënyrën se si imazhet qarkullojnë midis materialeve, konteksteve dhe kushteve të dukshmërisë. Në një ekonomi të së dukshmes, imazhi, i sjellë në pah përmes lëvizjes, shpesh gjendet midis ekspozimit dhe fshehjes, midis mundësisë për t’u parë dhe largimit prej saj. Baboçi i qaset këtyre trajektoreve migruese, duke vështruar nga afër mënyrën se si imazhet mbyllen, mbahen pezull dhe aktivizohen ndërsa kalojnë nga një material në tjetrin. Në këtë mënyrë, ekspozita vë në qendër arkitekturën e lëvizshme dhe teknologjitë e zhvendosjes, përmes të cilave motivet ikonografike dhe variacionet kompozicionale kanë udhëtuar dikur nëpër kontekste të ndryshme kulturore.

Kjo lëvizje gjen një analog material në teknikën e shekullit të tetëmbëdhjetë të strappos, të cilën Baboçi e trajton njëkohësisht si proces fizik dhe si kornizë konceptuale. E zhvilluar për të ruajtur afresket përmes zhvendosjes së tyre, strappo është përdorur gjithashtu në grabitjen e trashëgimisë pamore. Duke e shkëputur sipërfaqen piktoriale nga mbështetja e saj arkitekturore, kjo teknikë destabilizon marrëdhënien fikse të imazhit me murin. Duke u luhatur midis ruajtjes dhe çpronësimit, ajo e shfaq imazhin njëherazi si objekt material dhe si shenjë kulturore në lëvizje. Zhvendosja mund ta ruajë një imazh, ta grabitë ose ta çlirojë nga hapësira fizike që e strehon. Strappo ofron kështu një mjet veçanërisht të ngarkuar për imazhin migrues, lëvizja e të cilit mund të nënkuptojë njëkohësisht kujdes, dhunë, humbje dhe rikonfigurim.

I mbajtur i palosur brenda strappos, imazhi bëhet pasiv: ruhet, por largohet nga qarkullimi. Puna e Baboçit, përkundrazi, është e vëmendshme ndaj proceseve migruse të imazhit dhe zbarkimit së tij në kontekste të reja. Duke punuar me shënjues kulturor që kanë mbijetuar, ajo mbështetet tek to në vend që t’i ekstraktojë, siç bën strappo. Kjo krijon një distancë midis origjinës së imazhit dhe trajtës së interpretuar të tij, dhe pikërisht përmes kësaj distance jehona merr agjenci. Jehona as nuk e ruan një imazh në trajtën e tij origjinale, as nuk e shkëput atë nga origjina. Ajo i mban të dyja në marrëdhënie, ndërsa imazhi krijon autonomi përmes zhvendosjes në kohë dhe rikonfigurimit. Agjencia shfaqet kështu jo vetëm në atë që një imazh bart tutje, por edhe në vetë aktin e jehonimit.

Kjo logjikë e jehonës ka gjithashtu një histori lokale. Punët e mëhershme të Baboçit, “Murmurim – The Poetics of a Wall Projection” (2019) dhe “Triptiku” (2020), shqyrtojnë hapësirat e brendshme shqiptare të transformuara nga gips-kartoni dhe ornamentika prej gipsi në vitet 1990, duke gjurmuar përfytyrime të reja të hapësirës shtëpiake. “Muri Hibrid” (2026) rikthehet te ky material, duke e trajtuar gips-kartonin si një lëkurë të butë arkitekturore, ndërkohë që ekspozon skeletin e fortë metalik që e mbështet. Zhveshja e elementeve të murit e riimagjinon atë si tipologji: një strukturë e lëvizshme, sipërfaqet e së cilës sjellin në një mjedis të vetëm sintaksa hapësinore që qëndrojnë në kontrast me njëra-tjetrën, duke i dhënë murit një idiomë skenografike. Ndërsa sipërfaqet e tij bëhen hapësira migrimi dhe transmetimi: imazhet mbërrijnë nga gjetiu, ndërsa gips-kartoni, vetë i rikonfigurueshëm dhe i çmontueshëm, mbivendoset në planimetrinë e ekspozitës dhe njëkohësisht largohet prej saj si jehonë.

Format skulpturore, librat e motiveve pamore, rrotullat e pikturave dhe sipërfaqet strappo e zgjerojnë këtë proces si teknologji të jehonimit. Të lëvizshme dhe të transportueshme, ato ofrojnë arkitektura përmes të cilave udhëtojnë motivet, duke ndryshuar njëkohësisht shkallën, materialin ose marrëdhënien hapësinore. Në dy javët e fundit, ekspozita nis të tërhiqet nga vetë kushtet e saj të dukshmërisë. Librat e motiveve mbyllen dhe rrotullat e pikturave mbështillen, ndërsa arkitekturat e tyre të lëvizshme i tërheqin imazhet nga fusha e përceptimit. Murali i nënshtrohet strappos: sipërfaqja e tij piktoriale transferohet ngadalë nga gips-kartoni në sipërfaqe të strappos, derisa ekspozita shndërrohet në një mjedis kryesisht jo-vizual. I konceptuar si një formë deinstalimi dhe i hapur për publikun, ky proces e bën të dukshme se si procedura që duken thjesht teknike mund të mbartin një qëllim kritik dhe emancipues. Ai shtron pyetje mbi fuqinë e imazhit në fshehje, mbi pasivitetin e tij brenda strappos përkundrejt ekspozimit të përhershëm, dhe nëse jehonimi mund të prodhojë alteritet brenda të njohurës.


Kuruar nga Erëmirë Krasniqi.