Galeria Kombëtare e Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës është themeluar në vitin 1979, si një domosdoshmëri pasi themelimit të Akademisë së Arteve në vitin 1973. Që nga themelimi i galerisë, kanë dalë artistë të shumtë nga Fakulteti i Artit në Universitetin e Prishtinës. Ata kanë diplomuar në fusha të ndryshme të artit si në pikturë, skulpturë, dizajn grafik, grafikë dhe arte të aplikuara.

Që nga themelimi i Galerisë Kombëtare që atëherë ishte quajtur Galeria Kombëtare e Arteve dhe deri në vitin 1990, artistët kosovarë kanë promovuar veprat e tyre artistike në qendra të shumta prestigjioze përmes ekspozitave të ndryshme individuale dhe kolektive. Ata merrnin vlerësime shumë pozitive falë qasjes unike ndaj artit dhe rrethanave unike në të cilat arti i tyre ishte krijuar gjë që e ka bërë atë shumë të veçantë dhe origjinale.

Për një dekadë gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar arti kosovar ishte i heshtur për publikun ndërkombëtar. Në pamundësi për të organizuar ekspozita në Galerinë e Arteve për shkak të regjimit famëkeq dhe rrethanave të vështira, artistët kosovarë kërkuan alternativa tjera për të promovuar artin e tyre. Për këtë qëllim ata përdorën restorante, kafene dhe ambiente tjera alternative për ekspozita individuale dhe grupore.

Gjatë luftës në Kosovë shumë atelie u dogjën dhe shumë vepra artistike u shkatërruan.

Nga viti 1979 deri në vitin 1998 Galeria Kombëtare e Kosovës ka organizuar 297 ekspozita kolektive dhe aso individuale ndërsa që nga viti 1999 kur Galeria Kombëtare u rivendos në ndërtesën aktuale janë organizuar 350 ekspozita si në vend ashtu edhe ndërkombëtare. Shumë artistë të njohur ndërkombëtarë kanë ekspozuar në GKK siç janë Henry Moore, Victor Vasarely, Grayson Perry, Rosemarie Trockel, Thomas Hirschhorn, IRWIN, artistë kosovarë që kanë karriera të suksesshme ndërkombëtare si Sislej Xhafa, Petrit halilaj, Flaka Haliti, Leunora Salihu etj. Kemi pasur bashkëpunime të suksesshme edhe me kuratorë të mirënjohur si Dirk Snauwaert, Joao Ribas, Alfredo Cramerotti, Iara Boubnova, Jessica Castex, Odile Burluraux, Jerome Sans, Vincent Honore etj.

Galeria Kombëtare e Kosovës ka botuar shumë katalogje dhe broshura, këtu përfshirë edhe monografinë "Arti Bashkëkohor i Kosovës" (1988), monografinë "Arti Bashkëkohor i Kosovës" (2000), "Phoenix Kosova" (2005) monografinë "Simon Shiroka" (2015) , Libri i intervistave OHI (2019).