Maksut Vezgishi

Maksut Vezgishi ka përfunduar studimet e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar si asistent në këtë fakultet nga viti 1993-1996. Ka punuar si redaktor artistik në shumë revista si “Zëri”, “MM”, Thema”, “Sheshi” dhe në shtëpinë botuese “Dukagjini”, galerinë “Dodona” dhe në Fondacionin për Shoqëri të Hapur (KFOS). Ai gjithashtu në fushën e skenografisë ka bashkëpunuar me teatro të shumta, në Prizren, Prishtinë, Sisak, Lubjanë, Shkup, Bruksel dhe Elbasan. Interesimi i Vezgishit për arkitekturë dhe arte vizuale është ‘eksperimenti/modernizmi’ duke kërkuar të kthejë vëmendjen tek arti aktual shqiptar. Ka realizuar një mori ekspozitash duke filluar nga viti 1982 deri në ditët e sotit, duke numëruar afër 40 sish. Po ashtu, kuratori prizrenas ka fituar shumë çmime e finalist në shumë ekspozita. Mund të veçohet çmimi i “Aleksandër Moisiut” në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Vlorë. Vezgishi jeton dhe vepron në Bruksel.