Lorik Sylejmani

Lorik Sylejmani banon në lagjen Ulpiana, në Prishtinë, ku edhe ka jetuar gjatë gjithë jetës së tij, i rrethuar me banesat e hirta të arkitekturës socialiste, që sipas tij e karakterizojnë qytetin e Prishtinës dhe i japin atij sharm. I lindur në vitin 1972, Sylejmani është artist vizuel që në punën e tij flet për kulturën urbane dhe tema të tjera sociale dhe përdor mediume të ndryshme të shprehjes si: piktura, dizajni grafik, instalacioni, dhe videoarti. Ai ligjëron histori të dizajnit dhe brendit dhe udhëheq emisionin e tij autorial në radio Pilot Underground, ku flet për muzikën, që është një aspekt i rëndësishëm në punën e tij si artist.