Xhevdet Xhafa | Still Running

Galeria Kombëtare e Kosovës prezanton Still Running, ekspozitën e parë personale të Xhevdet Xhafës, një nga figurat pioniere të artit modern në Kosovë. Duke sjellë së bashku vepra të krijuara gjatë më shumë se gjashtë dekadave, ekspozita ndjek vazhdimësitë dhe transformimet e një praktike të zhvilluar përmes ndryshimeve të vazhdueshme artistike, institucionale dhe politike.

Duke punuar në pikturë, vizatim, grafikë, performancë, asambëlazh dhe reliev, Xhafa lëviz vazhdimisht mes imazhit dhe objektit. Gjëra të përditshme si këpucët, veshjet, litarët, pëlhurat dhe enët shfaqen si materiale fizike të përfshira në vepër. Të vendosura, të palosura, të mbuluara apo të përthithura në sipërfaqe të dendura, këto objekte e ndërlikojnë kufirin mes përfaqësimit dhe pranisë materiale.

Trupi mbetet një prani këmbëngulëse, edhe kur mungon. Këpucët dhe veshjet e përdorura ruajnë gjurmët e përdorimit; palosjet, zgavrat dhe sipërfaqet e dëmtuara sugjerojnë kontaktin, lëvizjen dhe humbjen. Në veprat e dominuara nga e zeza ose e bardha, objektet e njohura zhyten pjesërisht në fusha monokromatike, duke u bërë njëkohësisht të dallueshme dhe të huaja. Kështu, kujtesa nuk paraqitet thjesht si temë, por bartet përmes materialit, konsumimit dhe transformimit.

Still Running e merr titullin nga reflektimi i Xhafës: “Jeta nuk është ndier kurrë si një destinacion, por më tepër si një lëvizje e vazhdueshme përmes kohës, kujtesës, dinjitetit njerëzor, humbjes, heshtjes dhe transformimit. Ajo që ka rëndësi nuk është mbërritja, por vazhdimi.” Në  intervistë me Hans Ulrich Obrist, artisti kujton gjithashtu vrapimin nëpër peizazhet përreth Pejës si “një formë tjetër të të menduarit”. Titulli e shtrin këtë kujtim në vetë veprën, ku format dhe materialet rikthehen vazhdimisht, por nuk mbeten kurrë të njëjta. Vazhdimësia paraqitet si një proces i rikthimit, ndryshimit dhe fillimit nga e para.

E zhvilluar përmes transformimeve të thella politike dhe historike në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, praktika e Xhafës ofron një dëshmi të vazhdimësisë artistike të formësuar nga ndërprerjet. Gjatë gjashtë dekadave, ajo që mbijeton në veprën e tij rrallëherë mbetet e paprekur: objektet ndryshohen, zhvendosen, mbulohen, fragmentohen dhe rindërtohen. Still Running e trajton qëndrueshmërinë jo si përhershmëri, por si aftësi për të vazhduar përmes transformimit.

Ekspozita shoqërohet me një katalog që përfshin një intervistë të Xhevdet Xhafës me Hans Ulrich Obrist, ese nga Övül O. Durmuşoğlu dhe Ješa Denegri, si dhe vepra të papublikuara më parë. Dizajni i katalogut është realizuar nga Nita Salihu Hoxha.

kuruar nga familja

Xhevdet Xhafa (1934) ka lindur në Pejë, Kosovë. Në vitin 1959 përfundoi studimet në Shkollën e Artit në Pejë, ndërsa më pas vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Lubjanë, në klasën e profesorit Gabrijel Stupica. Ndërmjet viteve 1962 dhe 1967, ai përfundoi edhe studimet pasuniversitare në të njëjtën akademi. Për shumë vite, Xhafa ligjëroi pikturën në Akademinë e Arteve të Bukura të Universitetit të Prishtinës, duke kontribuar në edukimin e disa brezave të artistëve.

Ndër ekspozitat e tij personale të përzgjedhura janë prezantimet në Galerinë e Rinisë, Beograd (1973); Salonin e Artit Bashkëkohor, Beograd (1984); Galerinë CCY, Paris (1985); Muzeun e Artit Bashkëkohor, Shkup (1996); Muzeun Kombëtar të Kosovës, Prishtinë (2004); dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2017). Veprat e tij janë prezantuar gjithashtu në ekspozita kolektive, përfshirë Bienalen e Rinisë dhe Bienalen Ndërkombëtare të Vizatimit Origjinal në Rijekë, si dhe në ekspozita në Slovenj Gradec, Kanë, Paris, Vjenë, Romë, Uellington, Sidnej, Nju Jork, Beograd dhe Sarajevë, si dhe në Trienalen Ndërkombëtare të Pikturës në Nju Delhi. Veprat e tij janë përfshirë gjithashtu në Fragile State – Art from Kosova në Mançester (2007) dhe The Heritage of 1989. The Second Yugoslav Documents Exhibition në Muzeun e Artit Modern në Lubjanë (2017).

Xhafa është laureat i çmimeve të shumta, përfshirë vlerësime në Lubjanë dhe Prishtinë, Çmimin Kombëtar në Kanë (1975), një çmim në Bienalen e Nju Jorkut (1980), Çmimin Nadežda Petrović në Çaçak (1983) dhe Pllakatën e Artë të ULUS-it në Beograd (1985). Veprat e tij gjenden në koleksione muzeale, galerike dhe institucionale në Kosovë dhe jashtë saj.