Laureta Hajrullahu | të zhbësh, të shpërbëhesh, të zhdukesh

Në praktikën e saj të bazuar në video dhe instalacione imersive, Laureta Hajrullahu mbështetet në spekulim, folklor digjital dhe në mbetjet emocionale të jetës online. Ajo i qaset identitetit si një entitet në një gjendje të vazhdueshme redaktimi, kompresimi, përkthimi dhe matjeje, sipas arkitekturave algoritmike. Praktika e saj është një praktikë kufitare: ajo u rrit në Preshevë, vend ku kryqëzohet Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërkohë që njëkohësisht është formuar duke u rritur në internet. Pyetjet mbi privatësinë, gjininë dhe identitetin online janë thelbësore në punën e saj, ashtu si edhe çështjet që lidhen me një të ardhme post-internet në të cilën kufijtë janë gjithnjë e më të lëvizshëm.

Instalacioni i saj në Galerinë Kombëtare të Kosovës QAFA, vendos në qendër dy objekte të përmasave të mëdha, që ngjasojnë me gurë të pikseluar mbi sipërfaqet e të cilëve shfaqen projeksione holografike. Për shekuj me radhë, gurët kanë shënuar kufijtë e fushave dhe të territoreve. Si material i qëndrueshëm, ata kanë simbolizuar përhershmërinë e rendit dhe të ligjit, pasi vendosej në vend, guri do të garantonte që një kufi do të mbetej i pandryshuar për vite me radhë.

Përmes këtij veprimi, ajo nxjerr në pah jo vetëm çështjen e kufirit si diferencë, por edhe statusin e objekteve të pajetë në videolojëra. Duke vepruar kështu, ajo tregon fenomenin e ndërimit të roleve të objekteve të pajeta të cilat marrin rolin e mjeteve, objekteve të përditshme ose elementëve të peisazhit. Ky femonmen, krahas një vëzhgimi tinëzar, përbën një manifestim të "estetikë tërheqëse": kufizimin e qëllimshëm të pranisë, largimi nga ekspozimi, heshtja ose zvogëlimi i mjeteve shprehëse. Kjo është strategji refuzimi përballë një kulture të tepërt të, prodhimit të pandërprerë të përmbajtjes dhe doemosdoshmërise së hipervizibilitetit të diktuar nga kapitalizmi digjital.

Videoja është e  projektuar mbi ventilatorë, e ndarë në tri pjesë dhe e titulluar That Which Gave Chase (2026), paraqet një protagonist të bllokuar në një lojë, si në një ëndërr nga e cila nuk mund të zgjohet. I detyruar të performojë vazhdimisht identitetin e gjuetarit, ai përshkon peizazhe të turbullta dhe të shkreta. Edhe pse vepra ngjall një sërë tensionesh bashkëkohore socio-politike, nga dhuna në lojëra dhe hapësira online, te modelet e socializimit mashkullor dhe përvojat e tjetërsimit politik, ajo që kishte më shumë rëndësi për Lauretën ishte të përcillte ndjesinë e pafuqisë që është e brendshme në një gjendje limboje: ekzistencë e kapur në një cikël pa dalje. Loja, e konceptuar si hapësirë arratisjeje, shndërrohet në një kurth.

Si në shumë prej projekteve të saj të mëparshme, Laureta Hajrullahu qëllimisht ndërthur rendet: ajo kombinon një estetikë të ëmbël, pothuajse si karamele, me përmbajtje brutale; kitsch-in e internetit, Estetikën e Re dhe plastikën, me reflektim serioz politik. Duke vendosur dy "gurë" monumental në hapësirën e galerisë, ajo vepron përmes absurditetit dhe humorit. Ajo i shndërron objektet jomateriale të njohura nga lojërat video si pengesat, teksturat, elementet e peizazhit, në masa të rënda fizike. Sfondi dhe objektet e pajeta marrin rolin e protagonistëve. Njëkohësisht, artistja vë në pikëpyetje vetë idenë e parimeve dhe kufijve të fiksuar, duke zbuluar konvencionalitetin e tyre përballë një realiteti fluid dhe të ndërlikuar, të strukturuar më pak nga vija të forta ndarëse, e më shumë nga membrana dhe sisteme gjysmë të përshkueshme.

Kjo mënyrë e të menduarit rikthehet si në veprat e saj në mëndafsh, ashtu edhe në instalacionin që ndërhyn hollësisht në dritaren e galerisë. Grafikat të sjellin ndërmend motivin e njohur të llumit (slime) nga kultura e internetit një substancë ngjitëse, elastike, pa formë, që shfaqet në video të kënaqshme (satisfying reels) dhe lojëra relaksuese, duke i hipnotizuar shikuesit me plasticitetin e saj. Llumi nuk ofron rezistencë; ai i nënshtrohet prekjes, shpërndahet dhe riformësohet vazhdimisht. Megjithatë, te vepra e Lauretës, kjo estetikë pushon së qeni thjesht një kënaqësi vizuale. Ajo shndërrohet në një figurë ekzistenciale. Ajo paraqet një mënyrë të qenit në një botë pa identitete të qarta dhe kufij lehtësisht të kapshëm, një botë e strukturuar më pak nga konture të forta, e më shumë nga ndërlidhshmëria dhe përgjegjësia ndaj rrethinës së saj.

Laureta i rikthehet një estetike që sot duket pothuajse nostalgjike: estetikës së Y2K dhe imazheve të varfra, që shprehin egalitarizmin dhe optimizmin digjital të fillim viteve 2000. Ajo kthehet nga interneti i fëmijërisë sonë, një hapësirë që premtonte liri, nënkultura, identitete queer dhe avatarë të papërmbajtur. Për të dhe për bashkëmoshatarët e saj, rrjeti ishte një vend arratije, ndërtimi botësh (worlding), krijimi i realiteteve alternative në të cilat kufiri mes online dhe jetës reale mbetej i qartë. Mund të futeshe dhe të dilje. Sot, vektori i ikjes shpesh është kthyer mbrapsht. Ne kërkojmë strehim nga konsumimi i detyruar i lajmeve (doomscrolling), nga përmbytja e përmbajtjeve të pavlera të gjeneruara nga AI (AI slop), nga ndjenja e mbikëqyrjes së përhershme.

Artistja propozon strategjinë e "zhbërjes" (undo) si një gjest rezistence kundër forcave që rrafshojnë kompleksitetin dhe i shndërrojnë përdoruesit në pika të dhënash ose imazhe të idealizuara. Ajo kërkon koalicione të reja spekulative brenda të cilave mund të shfaqet një inteligjencë alternative—dhe një solidaritet i shpërndarë nëpër trupa, makina dhe objekte. Një tërheqje nga performanca e identiteteve të veçanta dhe një përpjekje për ta parë botën më gjerësisht.

Kuruar nga Michalina Sablik.