Shtëpi: Ekspozita e Laureatëve të Edicionit të Parë

Kjo ekspozitë sjell së bashku laureatët e edicionit të parë të programit Shtëpi, program rezidence i zhvilluar në partneritet me Cité internationale des arts, duke prezantuar punë të reja nga Kreshnik Arifi, Lumturie Krasniqi dhe Renea Begolli.

Duke punuar në mediume të ndryshme, artistët ndajnë një vëmendje të përbashkët ndaj fragmentimit, qoftë vizual, ekologjik apo zanor. Veprat e tyre ndjekin proceset e zhvillimit, duke u përqendruar në faza tranzicioni dhe forma të paqëndrueshme. Secila praktikë i afrohet një pragu me një këndvështrim të veçantë: në kompozimet e Kreshnik Arifit, gjuha e trashëguar  shpërbëhet në tinguj të pastrukturuar; në fjalorin e materialeve të Renea Begollit, organikja rrëshqet në sintetike, ndërsa në veprën e Lumturie Krasniqit, format ekzistojnë mes pranisë dhe zhdukjes. 

Së bashku, këto kërkime rezonojnë brenda ekspozitës. Ato shqyrtojnë se si tingulli bëhet një fushë ku kujtesa dhe gjuha ndërthuren, se si ekologjitë çrregullohen, ribashkohen apo i rezistojnë koherencës, dhe si drita zbulon çarje të fshehura të ekzistencës. 

Kënga e Parë nga Kreshnik Arifi është një projekt audio-vizual që eksploron tensionin midis tingullit, kujtesës dhe gjuhës. Vepra kundërvë dy përvoja formuese sonike: takimin e parë me strukturën gjuhësore përmes ninullave dhe tingujt e pastrukturuar dhe të gjallë të prodhuar nga fryrja në kërcellin e luleradhiqes, e njohur në Kosovë si Pipilija. Ajo shqyrton se si gjuha mbart kujtime historike dhe emocionale, duke imagjinuar mundësinë e një tingulli të çliruar, para-gjuhësor.

Vendosur brenda një peizazhi livadhesh, instalacioni sjell përballjen mes këtyre dy tingujve. Pipilija lëshon tone të brishta dhe improvizuese që i rezistojnë komunikimit të strukturuar, ndërsa jehona e një ninulle e përhapur nga era sjell formën e komunikimit të trashëguar. Ndërveprimi i tyre krijon një ndërhyrje delikate, një hapësirë ku liria dhe kujtesa bashkëjetojnë. Për më tepër, ky dualitet midis ninullave të strukturuara dhe lojës improvizuese të pipilisë shëndërrohet si një gjest i muzikës dhe komunikimit të lirë nga normat/paradigmat, duke kujtuar lirinë instiktive të tingullit para-gjuhësor.

Ninullat bartin në vete kujdes, por edhe historitë dhe barrën e brezave që transmetuan gjuhën. Tingujt e brishtë të luleradhiqes sugjerojnë një mënyrë alternative të shprehjes, megjithëse ata sfidohen vazhdimisht nga jehona e erës. Ky tension mes zërit të trashëguar dhe atij të lirë bëhet metaforë për negocimin e kujtesës kolektive dhe individuale. Duke pezulluar këto shtresa zanore, vepra krijon një hapësirë spekulative në të cilën komunikimi mund të riimagjinohet përtej jashtë kufijve historikë dhe gjeopolitikë.

Takohemi në fushën e luleve të çrregulluara (glitching), një instalacion i Renea Begolli, bashkon skulpturat e ‘luleve glitch’ dhe fragmente peizazhesh të krijuara nga materiale të reja dhe të ricikluara si letër, copa metali dhe mbetje plastike. Në vend që të paraqiten në mënyrë realiste,  këto forma mishërojnë kontradikta: të brishta dhe të mprehta, organike dhe artificiale, të improvizuara dhe të qëllimshme. Ato funksionojnë si fragmente të një ekosistemi të imagjinuar, duke sugjeruar një terren të formësuar nga ndërprerje dhe rindërtim i vazhdueshëm.

Puna me materiale tashmë të përdorura e vendos Begollin në linjë me thirrjen e Donna Haraway për të “qëndruar me vështirësinë”, duke pranuar rrugët e transformimit pa kërkuar zgjidhje të menjëhershme. Një video e formave natyrore të manipuluara dixhitalisht e zgjeron këtë hulumtim, duke krijuar një dialog midis mbetjeve materiale dhe kopjeve të tyre digjitale të “glitch-uara”. Përmes komponentëve fizikë dhe dixhitalë, Begolli i qaset çrregullimit (glitch) si metodë dhe metaforë, si një tregues i paqëndrueshmërisë, duke sugjeruar se ekologjitë, ashtu si trupat, janë të paqëndrueshëm, të paplota dhe vazhdimisht në ndryshim.

Mbështetur në propozimin e Legacy Russell që njeriu “bëhet një glitch”, kjo punë shqyrton mënyrën se si trupat përfaqësohen, arkivohen dhe njihen. Natyra, në këtë instalacion, shfaqet si e improvizuar dhe rezistente, duke u riformësuar vazhdimisht. Të frymëzuara nga lulet e egra, skulpturat refuzojnë identitetin e pandryshueshëm: organizma spekulativë të formuar nga shqetësimi, përshtatja. Ato përjetojnë mutacione, shfaqin sjellje të papritura dhe mbijetojnë përmes çrregullimit.

Këto struktura sfidojnë pritshmëritë për simetri, funksion dhe estetikë normative. Ato “rriten” kundër rrymës, duke zbuluar forma që i rezistojnë parashikimit dhe kontrollit. Ky refuzim funksionon si një gjest ekologjik, duke theksuar se natyra nuk përputhet me kornizat njerëzore. Brenda kësaj hapësire të çuditshme dhe të anshme, instalacioni i fton shikuesit të reflektojnë mbi kuptimin e takimit me "tjetrin", qoftë bimë, trup, fragment apo entitet digjital, dhe të imagjinojnë marrëdhëniet ekologjike, trupore dhe teknologjike që shpalosen përtej sistemeve të vendosura të rendit dhe dominimit.

Existence Misplaced nga Lumturie Krasniqi është një seri (në vazhdim) pikturash modulare që shpalosen si një konstelacion formash të përsëritura, por kurrë identike. Në shikim të parë, veprat duken meditative: një sipërfaqe pothuajse e qetë me nuanca të zbehta dhe dritë të butë. Por, me një vështrim më të afërt, shfaqen çarje. Skajet e parregullta ndërpresin qetësinë. Tonet ndryshojnë në mënyrë të papritur. Figurat brenda pikturave duket se dridhen. Boshllëqet fillojnë të tërheqin më shumë vëmendje sesa format; ajo që fillimisht duket e qëndrueshme, ngadalë shpërbëhet. 

Forma përsëritëse, as trup as peizazh, por që i ngjan të dyjave, sugjeron harkimin e shtyllës kurrizore, siluetën e një kodre, peshën e një embrioni. Duke lëvizur nga një panel në tjetrin, vizitorët hasin pothuajse dyfishime që refuzojnë përputhjen e përsosur. Ndriçimi i dhomës vjen nga dy konstelacione të veçanta pikturash dhe bëhet material qendror përmes të cilit përjetohet instalacioni. Kjo dritë funksionon pothuajse si një rreze X, duke ekspozuar çarje dhe boshllëqe në veprat e iluminuara; ndriqimi që vjen nga to shpërndahet në dhomë, duke nxjerrë në pah detaje në panelet e tjera, të pailuminuara, që ndryshe do të mbeteshin të padukshme. 

Titulli shërben si një prismë për të lexuar instalacionin: çfarë do të thotë të ekzistosh jashtë vendit, jashtë kohës, ose të shpërndarë në gjendje paralele të të qenurit?  Veprat bëhen pragje, duke ofruar pamje të brishtësisë, shumëfishësinë dhe natyrën kalimtare të përkitjes.

Kuruar nga Hana Halilaj. 




*Kjo ekspozitë realizohet si pjesë e programit të rezidencave Shtëpi, në kuadër të bashkëpunimit mes Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Cité Internationale des Arts, lansuar ne shtator 2025.

Shtëpi është një program rezidencash për artistë të të gjitha disiplinave që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Me synim që të nxisë shkëmbimet në nivel ndërkombëtar, të zgjerojë rrjetet profesionale dhe artistike, si dhe të zhvillojë praktikat artistike përmes mbështetjes së dedikuar për kërkim, prodhim dhe dukshmëri. Artistët  e prezantuar do të jenë pjesë e rezidencës tre-mujore në Paris (3 mars – 28 maj 2026) në Cité internationale des arts.