Dita Natë, Nata Vjet

Me f'tyrë t'mbulueme nën harrnat e qenisun, 

mburojë m’u bá shtirja, andrrën teme t'gjatë nuk po e k'putka 

as hija e jote mbi tá.


Ekspozita “Dita Natë, Nata Vjet” si qasje konceptuale synon të hulumtojë më thellë natyrën e njeriut në kohë dhe në hapësirë të caktuar. Fillimisht e frymëzuar nga e kaluara e afërt e cila ruan kujtime të fuqishme të cilat në narrativën vizuale marrin një formë gjuhe univerzale, duke u nisur nga tregime personale, ideja bazë e këtij instalacioni përqendrohet ne trajtimin artistik të gjendjeve të caktuara fizike të trupit, konkretisht momentet e gjumit dhe aspektin e tij psikologjik, akoma të panjohur plotësisht, ëndërrimin.

Ky intervenim na fton në një dialog i cili fillon në hapësirë labirinti që paralajmëron parahati. Interaksioni me veprën imersive e zbulon edhe prejardhjen e idesë, ëndrrën, jo vetëm si moment, por edhe si vizion, si dëshirë, si liri, ëndërrën që në të vërtetë është kurth që mjeshtërisht na joshë me anë të butësisë dhe rehatisë: njeriu hyn nën mbulojë të një realiteti të imponuar. Materiali i gatshëm, jorgani, me madhësi të ekzagjeruar, synon të ironizoj me ëndrrën për të ardhmen dhe mënyrën e të përceptuarit tonë.

Forma e këtij interaksioni artistik me veprën në mënyrë delikate dhe lozonjare ngre pyetjet thelbësore mbi teorinë e drejtësisë dhe praksën e lirisë, e që të dyja tingëllojnë si kureshtje fëmijërore, por që këmbëngulin në përgjigje me kokë rebele. Ndoshta fillet e kësaj parehatie brenda mikrokosmës tonë vijnë nga lindja e pronës me rrethojat e saj, përmes mbretërive, profetëve, krenarisë, poshtërimit, deri te vetmia e turmës bashkëkohore.

Intervenimet me esktetikën e së drejtpërdrejtës, duke mos qëndruar indiferent ndaj të padrejtës, e shndërrojnë bërthamën e kësaj praktike artistike në vlerë të dinjitetit njerëzor. Haveit, guximshëm e ballafaqojnë ndërgjegjen me vrazhdësinë e patriarkisë dhe me impulset negative që prodhon vuajtja lokale në nivel global. Tashmë të njohura si grup aktiv në skenën e artit, me këtë ekspozitë që trajton ëndërrën si pjesë tonën më intime, vazhdojnë tutje mihjen përbrena qenies sonë, duke ngritur pyetje thelbësore për shoqërinë.