Dardan Zhegrova / Brand New Ancients

Brand New Ancients përbën vazhdimësinë e eksplorimit të bujshëm të artistit brenda temave të fëmijërisë, që shprehet përmes katër kapitujve të cilët zënë katin përdhesë të Galerisë Kombëtare të Kosovës ekskluzivisht me vepra të konceptuara rishtasi. Siç tregon edhe titulli, Brand New Ancients përqendrohet në idenë e krijimit të momenteve ku përvojat e kaluara i nënshtrohen një transformimi në një të tashme të gjallë. Këto përvoja të jetuara portretizohen gjallërisht përmes instalacioneve të shtrira që integrojnë tekstile, tinguj e skulptura – të gjitha të vendosura brenda një skenografie gjithëpërfshirëse teatrale.

Ndërsa metodologjia artistike e Zhegrovës përkufizohet veçanërisht me dizajnin e hapësirave ku ai paraqet veprën e tij, themeli i tij krijues buron vazhdimisht nga të shkruarit. Ky aspekt, mbase i vetmi që pasqyron sfondin e tij si gazetar i cili në art u aftësua si autodidakt, mbetet pjesë përbërëse e praktikës së tij artistike. "Maze" (2023) e vendosur në dhomën e parë të galerisë i kushtohet eksplorimit të kujtimeve të formuara nga artisti gjatë moshës katër deri në tetë vjeç. Copa të mëdha pëlhure të tejdukshme dhe të errëta në hije vjollce janë instaluar strategjikisht në hapësirë për të formuar korridore dhe ndarje. Ky aranzhim sfidon sensin vizual dhe fizik të orientimit të shikuesit, pasi ai nuk mund të dallojë se çfarë shtrihet nën pëlhurë. Eksplorimi i hapësirës mund të perceptohet si diçka që i ngjan procesit dhe mekanizmave të kujtesës, që karakterizohen nga jokoherenca e rastit ose varësia nga perceptimet shqisore të çastit. 

Në pjesë të caktuara të pëlhurës, Zhegrova ka prerë me hollësi fjalë nga një pëlhurë më e trashë argjendi. Kur lexohen bashkë, këto fjalë formojnë fjalinë: “Si ta ruajmë gjithë këtë, jo vetëm si kujtim por si një vend”, duke komentuar impulsin për t'i bërë historitë kalimtare materialisht të prekshme, por edhe të qasshme për shikuesin. Zhegrova nisi konceptualizimin e kësaj dhome dhe e përshkroi atë si proces në të cilin "I rijetova shumë kujtime që kishin të bënin me kafshët. Takimi i parë me Zotin, për shembull, ndodhi përmes një milingone. Isha ulur pranë dritares së dhomës së ndejës dhe po i shtypja milingonat me gishta dhe nëna më tha: "Mos, se Zoti të dënon". Kjo ishte hera e parë kur mendova se ajo çka Zoti ishte për mua është ajo që unë jam për milingonat". Ky tregim, përveç që qëndron si përfaqësim i mrekullueshëm i kujtimeve që dëgjohen në labirintin e dhomës së parë, ilustron edhe një nga pesë episodet e tilla të transmetuara përmes altoparlantëve në tërë ekspozitën. Secili nga këto kujtime të ndryshme avancohet me efektet shoqëruese zanore, duke intensifikuar ndikimin e gjithanshëm të narrativave. Ky tregim në veçanti flet për ndjeshmërinë e jashtëzakonshme të artistit në kuptimin e thelbit më të gjerë të një bote të mbushur me forma të ndryshme të jetës dhe gërshetimin e tyre të brishtë. 

Gjatë një periudhe të ngjashme në jetën e tij, një anekdotë tjetër flet për vizitimin e shtëpive të mbetura nën rrënoja pas luftës së fundit të viteve të nëntëdhjeta, të cilat u përshkuan nga shtypja e ashpër e shqiptarëve të Kosovës që kërkonin pavarësi nga ana e forcave serbe. Mes muresh të rrënuara të një strukture të braktisur ku kishte zënë rrënjë bari i gjatë, ai dhe një mik takuan një qenush. Në një çast pakujdesie, ata e ngacmuan qenushin me shkopinj, pa kuptuar plotësisht pasojat e veprimeve të tyre, duke bërë që këlyshi të cijatë. Transferimi psikologjik ose pasqyrimi i emocioneve, i ilustruar në të dy tregimet nga transmetimi i dhimbjes dhe pafuqisë, mund të vërehet në një shkallë më të gjerë në veprat e mëparshme të Zhegrovës. Tutje, ai shërben si element i rëndësishëm në këtë ekspozitë – pikë që do të dalë në pah më vonë.

Duke u larguar nga labirinti i pëlhurës dhe zërit, ndeshemi me një varg skulpturash që artisti i ka titulluar "The Entities" (2023). Këto skulptura shpërfaqin skica dhe veçori specifike që luhaten mes figurash totemike dhe makinash antropomorfike. Përshtypja që u ngjan makinave lind nga materialet e tyre si druri dhe metali si dhe konstruksioni i tyre, që përfshin pjesë të ndryshme të cilat u ngjajnë strukturave të gjymtyrëve për të lehtësuar lëvizjen. Dizajni i tyre bazohet në kafshë të thjeshta prej druri, tredimensionale, me të cilat artisti lozte shpesh si fëmijë, duke i renditur e duke lidhur shumë pjesë që ndërthuren ose përshtaten së bashku për të formuar strukturën përfundimtare. Tipike për estetikën e Zhegrovës, skulpturat janë zbukuruar me materiale dekorative dhe pëlhura që frymojnë jetë dhe karakter individual në siluetat grafike. Në prani të tingujve të ambientit në dhomë, bëhet e paqartë se a komunikojnë vërtet skulpturat me shikuesit, apo krejt është thjesht produkt i imagjinatës së tyre. 

Gjatë viteve të adoleshencës së artistit, ai i vizatoi këto personazhe, kryesisht në shkollë. Ai këto i përshkroi si "Krijesa që më mundësonin të ikja, ato vinin nga e kaluara dhe ishin çelësa për një botë tjetër. Ato vinin nga një mendje kurreshtare dhe rebele, dhe hapnin një botë të cilën unë vazhdoj ta vizitoj. Ato nisën të shfaqeshin kur unë po kënaqesha në shkollë e në shtëpi. Me fëmijë të tjerë nuk është se ia kaloja fort mirë, dhe kështu ato m'u bënë shoqëri. Po ashtu, gjithmonë shkruaja kur ato shfaqeshin, datën, kohën dhe vendin ku ato paraqiteshin, që të mund ta gjurmoja çastin dhe të sigurohesha se kjo vërtet ka ndodhur". "The Entities" janë transformuar në një përfaqësim të prekshëm të arratisë së tij rinore, që buron nga një fontanë kreativiteti të cilën Zhegrova vazhdon ta shfrytëzojë edhe sot e kësaj dite. Ato mund të merren si shoqëruese imagjinare, shokë apo gardianë, e njëkohësisht shërbejnë si burim i fuqizimit të cilin artisti ia jep si vetes ashtu edhe vizitorëve. Ashtu sikurse seritë e tij të mëparshme "Voodoo Dolls" (2015 – vazhdon) dhe “The Hybrids” (2020 – vazhdon) të cilat janë krijuar me elemente interaktive që bashkëveprojnë me shikuesit, "The Entities" e vazhdojnë këtë eksplorim. "Voodoo Dolls" – veprat e para të frymëzuara nga figura në formë kukullash paraqitën konceptin e "magjisë simpatike", që është parim psikologjik i cili sugjeron se duke imituar një veprim mbi një përfaqësim të diçkaje ose dikujt, mund të ndikohet në gjënë e vërtetë.

Brenda kontekstit të Brand New Ancients koncepti i "magjisë simpatike" mund të barazohet me termin psikologjik të "lojës imagjinare" që i referohet një lloji të lojës ku fëmijët përfshihen në aktivitete imagjinare dhe simbolike, shpesh duke përfshirë krijimin e skenarëve, roleve dhe situatave imagjinare, të cilat replikojnë ose kundërshtojnë realitetin. Transferimi ose pasqyrimi i lartpërmendur i emocioneve vjen këtu për të lozur përsëri, pasi "The Entities" si miq, sot mund të ndikohen në konstruksionin e tyre i cili simbolikisht mund të nënkuptojë edhe ndikimin në veprimet e tyre. Zhegrova vë në pah këtu rëndësinë që skulpturat e tij nuk janë vetëm të rëndësishme brenda kuadrit të biografisë së tij, por gjithashtu janë të dizajnuara që publiku të bëhet potencialisht krijues dhe përdorues i këtyre veprave artistike. 

Ndërsa kalon në dhomën tjetër, has në një shabllon të shpalosur që merr formën e një kështjelle ose kalaje, të kompletuar me kënde të rehatshme dhe vinça të mobiluar me plot jastëkë për ndejë të rehatshme. Brenda këtij udhëtimi, kështjella shërben si simbol i strehimit dhe sigurisë, të cilën Zhegrova e vendosi strategjikisht pas instalacioneve të "The Maze" dhe "The Entities" që përfaqësojnë çorientimin dhe kërkimin e komunitetit. Kështjella nuk funksionon vetëm si vend pushimi, por edhe transformon muret e saj në sipërfaqe projeksioni, ku mund të hasni vizatime akrilike të frymëzuara nga kujtimet e përmendura më lart. Këtu, përveç referencës së teknikës së përdorur, termi projeksion mund të përdoret edhe në kuptimin e vet psikologjik. Sipas psikologjisë analitike të Gustav Jungut projeksioni kuptohet si mveshja e njerëzve ose objekteve të tjera materiale me përmbajtjen arketipike të pranishme në psikikën e dikujt. Ngjashëm me ndodhitë e mëparshme, këtu “The Castle” (2023) synon të iniciojë një proces te shikuesi duke nxitur ndërthurje mes imazheve të paraqitura dhe lidhjeve të tyre personale.   

Dhoma përmbyllëse, që shënon kapitullin e fundit të udhëtimit “Brand New Ancients”, mbahet qëllimisht me stil tejet minimalist, duke krijuar kontrast të mrekullueshëm me luksin e dhomave të mëparshme. Intervenimi i vetëm "Oneness" (2023) i paraqitur nga artisti është një dritë e fortë e orientuar drejt dyshemesë, duke ndriquar mbi këdo që shkel në rrezen e saj. 

Vazhdimësi këmbëngulëse e krejt ekspozitës është përfshirja e drejtpërdrejtë e shikuesit, gjë që dukshëm shpërfaqet në këtë rast në veçanti. Megjithatë, ky përfundim ngre disa pyetje të pazgjidhura. Për shembull, mund të hipotetizohet se vizitorët janë metamorfozuar në një nga "The Entities". Nga ana tjetër, mund të sugjerohet se kapitulli tjetër është ende i pashkruar dhe përcaktimi i autorit ende pritet të vendoset.