Palimpsestet e Historisë

Në vitin 2001, Chris Marker lajmëroi episodin e dytë të një raporti kinematografik mbi Kosovën — të cilin ai nuk do ta publikonte kurrë. Në një deklaratë të shkruar disa vite më pas, ai ishte shprehur se “ashtu kështu, askujt nuk i bëhet vonë për Kosovën më — deri në luftën e ardhshme.”

Përderisa ky film— në tentativë i quajtur ‘Prilli i Thyer’ — konsiderohet i humbur sot, fantazma e luftës nuk ka ndaluar së ndjekuri jetën e përditshme të Kosovës që atëherë. Frymëzuar nga metafora e Chris Marker, Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada kapin hijet e historisë së vonë të Kosovës përmes mjeteve kinematografike. Palimpsestet e Historisë trajton reprezentimet filmike të Kosovës gjatë muzgut të Jugosllavisë — të nacionalizmit, aparteidit, kryengritjeve, luftërave klasore dhe dhunës shtetërore. Projekti distilon rrëfimin e tij nga imazhet e viteve 1980-a, një kohë kur po lindnin kriza të shumta politike të ndërthurura me trazira sociale dhe po ndodhte komodifikimi i gjerë i formave kulturore. Qëllimi i projektit është ta përfytyrojë këtë histori përmes boshllëqeve të saj dhe t’i vë ato në lëvizje. Ekspozita e trajton filmin si një mjet kërkimor me kapacitet për t’i zbuluar palimpsestet vizuale të kësaj periudhe historike.

Tri publikime të prodhuara enkas për këtë rast e shoqërojnë ekspozitën. Belbëzimet e Universalitetit i bën bashkë shkrimet polemike të Shkëlzen Maliqit mbi prodhimet e Kosovafilmit, nga mesi i viteve tetëdhjetë, me parathënien kritike nga Tevfik Rada. Limitet e Reprezentimit është përkthimi i parë në anglisht i kritikës së Gani Bobit për manipulimet në media në lidhje me Kosovën në fund të viteve tetëdhjetë, së bashku me analizën e gjerë të Sezgin Boynikut për filmin eksperimental të Srđan Karanovićit ‘Za Sada Bez Dobrog Naslova’ (‘Një film Pa Titull’), realizuar në vitin 1988 ku flitet për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve. Broshura e tretë, Shihemi në Luftën e Ardhshme, është një rikonstruksion i bazuar në imazhet e filmit të humbur të Chris Marker për Kosovën; i cili do të jetë i gatshëm me rastin e mbylljes ë ekspozitës. Përveç publikimeve, projekti sjell edhe një seri posterash silkscreen së bashku me shkëputje nga filmat që kryejnë funksionin e fotografive të çastit të historisë. 

“Historia i gjuan prej dritares shishet e saj të zbrazëta” shprehet zëri që shoqëron ‘Pa Diell’ të Chris Marker, të vitit 1983. Duke e krijuar temën kryesore nga kjo deklaratë, Palimpsestet e Historisë gjen të dhëna për kontradiktat e pazgjidhura të së tashmes duke shikuar në dilemat e vazhdueshme ideologjike të viteve të tetëdhjeta në Kosovë.