Mbi Lum'

Deri në fund të viteve ’40, qyteti i Prishtinës shtrihej mes dy lumenjve që dikur njiheshin si Vellusha dhe Prishtina (Prishtevka). Në vitet ’50, lumi Vellusha, fillimisht që rridhte nga kodrat e Gërmisë, u mbulua nga një sistem i gypave. Më vonë në vitet ’70, të njëjtit fat iu nënshtrua lumi Prishtevka, i cili rridhte nga pjesa perëndimore e qendrës së vjetër të qytetit. Si rezultat i mbulimit të tyre, lumenjtë e qytetit jo vetëm që mbetën të fshehur vizualisht, por u shndërruan në deponi mbeturinash, gjë që shkaktoi një biodegradim progresiv të florës dhe faunës së tyre. Kështu, në vitet ’80 Prishtina u bë qytet pa lumë. Ky fakt paradoksal është një pikë ankorimi i ndërhyrjes duke ditur rëndësinë e jashtëzakonshe të lumenjeve si burim hidroenergjetik.

Mbi Lum’ është një instalacion publik i artistes Abi Shehu dhe arkitektes Sara Rodiqi që shqyrton veprimet që ndikuan në shndërrimin e këtyre lumenjve në ujëra të zeza për kryeqytetin. Vepra bazohet në gjurmimin e shtratit të lumit Vellusha përmes nëpërmjet audio-instalacioneve dhe skulpturave metalike. Duke e konsideruar materialitetin shprehës të akustikës për të prodhuar një formë të zgjimit estetik dhe ndijor të komunitetit, vepra synon të rivendosë tonalitetin e një rryme të mohuar. Instalimi është një ndërhyrje konceptuale që sjell nëntokën mbi sipërfaqe dhe bën që qytetarët të kenë një vetëdije të re për qytetin përmes dëgjimit.

Lumi, si pavetëdija e qytetit, simbolizon rrjedhat e ndrydhura të një mjedisi kompleks ku konstituohet realiteti psiko-emocional i banorëve të tij. Duke marrë parasysh ekzistencën e mohuar të lumit, instalcioni krijon një hartë akustike të rrjedhës së tij, duke arritur kështu një gjallërim estetik të strukturës sociale të qytetit. Këto struktura të kujtojnë format e jetës bimore që dikur lulëzonin përgjatë rrjedhës së lumit Prishtinë. Duke u nisur nga studimet e bimëve si forma arti nga artisti Karl Blossfeld, skulpturat rezonojnë me natyrën si burim i formave estetike dhe në mënyrat sesi shkatërrimi i saj prish marrëdhëniet e komunitetit me bukurinë dhe vetë jetën. Duke e bërë lumin edhe një herë të imagjinueshëm përmes dëgjimit, instalacioni bën një kthim simptomatik të lumit në analogji me kthimin e impulseve të ndrydhura në ndërgjegje.