Synime

Ekspozita “Synime” nxjerr në pah pozicionet artistike dhe metodologjitë individuale të grave artiste në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Nisur nga synimi për të zgjeruar historitë e grave në art, ekspozita shqyrton terrene të reja kritike për të ripërvetësuar dhe ripërfytyruar subjektivitetin e grave në historinë e artit.

Teksa shikojmë nga afër mënyrat e të ekzistuarit në fushën e artit, jemi të vetëdijshme për vendndodhjet e shumta në të cilat agjencia e grave është formuar, kontekstin politik dhe kulturor në të cilin punët e tyre marrin kuptim. Të vetëdijshme që esencializmat gjinor shpërndajnë dhe fiksojnë koncepte kulturore, duke përcaktuar çfarë gratë janë dhe çfarë ato mund të arrijnë, jemi në kërkim të rrëfimeve jo-njësuese të grave, metodologjive individuale, dhe pozicionimeve artistike që zbërthejnë, por edhe i ripërfshijnë ato në narrativat historike të arteve pamore.

Ekspozita ofron mundësi për diskutim të veprave të prodhuara nga gratë dhe konsideron trajektore të ndryshme artistike që ato kanë thurur në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot. Ekspozita bazohet në hulumtimin e realizuar mbi artin dhe kulturën dhe në koleksionet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë dhe shqyrton nga afër kushtet dhe regjimet estetike që kanë diktuar prodhimin dhe shprehjet artistike, si dhe vendin e gruas në të.

Ekspozita paraqet pamje të praktikave të ndërthurura e të mbivendosura dhe debate mjaft të ndërlikuara për t’ju përmbajtur një rrëfim linear.
Për të evituar grackën e historizimit linear, ekspozita nuk ndjek një rend kronologjik. Në vend të kësaj, rrëfimi ndjek rrjedhën jolineare të praktikave të artit të grave. Ambicia individuale ishte njëra nga strukturat kryesore që mbështeti gratë artiste. Ndërkohë që përpjekja e tyre ndihmoi në hapjen e fushë së artit dhe kulturës për praktikuese të tjera.

Jo të gjitha punimet e përzgjedhura rrjedhin nga një kontekst feminist. Por, disa prej tyre ndërthuren me mendimin feminist duke problematizuar rendin patriarkal. Përmes një praktike fleksible dhe të vetëdijshme, ato tregojnë përkushtim për të rinegociuar konstruktet gjinore shoqërore dhe paraqesin mundësi të shumta për të ardhmet e grave në art.

Ekspozita “Synime” ka si qëllim të jap një kontribut në diskutimet feministe lokale, në vend që të shërbejë si një qëllim në vetvete. Ajo bazohet në katër struktura konceptuale: Arkivat e trupit; Gramatika e kujtesës; Anakronizma të vullnetshëm; dhe Përmbledhje poetike.


ARKIVAT E TRUPIT

Nga këndvështrimi multidisiplinor, punimet e këtij seksioni shqyrtojnë trupin, i cili është gjithmonë në proces, i perceptuar përmes gjinisë dhe si subjekt që i nënshtrohet ndryshimeve nga një sërë faktorësh kulturorë dhe politikë. Kundrejt kësaj, trupi (me gjithë shumësinë e tij) është kthyer në entitet diskursiv. Duke iu qasur trupit si një arkiv i afekteve, performancës dhe politikës së mishëruar, përmes metodologjive individuale, gratë artiste jo vetëm që kanë ripërvetësuar truporen por e kanë përdorur trupin si një truall për t'iu kundërvënë esencializmit kulturor. Për më tepër, punimet që janë pjesë e këtij kuadri konceptual rishkruajnë dhe rikonfigurojnë trupin, duke e kthyer atë në një vend të akumulimit dhe përcjelljes. Duke çuar në shfaqjen e strategjive fleksibile me të cilat rrëfehet dhe pluralizohet të kuptuarit e trupit.

GRAMATIKA E KUJTESËS

shqyrton mënyrat e narrativizimit vizual bazuar në kujtesë - personale ose kolektive - që gratë artiste kanë përdorur për të rimarrë lirinë e zgjedhjes dhe vendin e tyre në histori. Akti i rrëfimit jo vetëm që formëson të kaluarën, por gjithashtu bëhet një mënyrë e formimit të vetvetes. Duke

u ndeshur me histori të shkallëve të ndryshme që kanë dështuar në përfshirjen e grave, ky seksion bën së bashku vepra që ngrejnë pyetje, ndërhyjnë dhe rimagjinojnë atë që perceptohet si një histori e përbashkët. Duke ndërthurur perspektiva më pak të njohura në narrativat e mëdha historike, ato amplifikojnë një mori zërash individual brenda një konteksti më të gjerë shoqëror. Për më tepër, duke nënvizuar vazhdimësitë dhe përçarjet e kujtesës, punimet vënë në dyshim funksionimin e kujtesës brenda mjedisit patriarkal dhe mungesën e subjektivitetit të grave që narrativat historike krijojnë.

ANAKRONIZMA TË VULLNETSHËM

I menduar si një dialog midis pozicioneve artistike të grave të brezave dhe gjeografive të ndryshme, veprat e artit në këtë seksion përfaqësojnë një gjest të qëllimshëm të mosbindjes ndaj autoritetit, patriarkatit, linearitetit dhe rendit të imponuar të gjërave. Përkohëshmëritë jo-harmonike të sjella nga këto vepra arti dhe qasje anakronike kuratoriale, paraqesin mënyra të reja të rrëfimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve. Këto vepra krijojnë kultura feministe midis brezave. Krijimi i një dialogu të tillë na mundëson të kuptojmë dhe imagjinojmë një botë të organizuar ndryshe.

PËRMBLEDHJE POETIKE

Struktura konceptuale e këtij seksioni bashkon vepra arti që tërheqin vizualisht dhe janë krijuar nga perspektiva e prodhuesit të artit: kryesisht jo si reagim ndaj rrethanave të jashtme të kohës së tyre, por si mishërime subjektive. Duke ndjekur qasjen poetike të prodhueseve, edhe ne, në frymën e Boris Groys, kemi përzgjedhur vepra që kërkojnë analizë dhe nxisin përvojën poetike, sesa atë estetike. Kjo e fundit duke qenë kërkesë e spektatorit ose konsumatorit që kërkon të marrë nga arti përvojën estetike: bukurinë, sublimen dhe kënaqësinë sensuale. Duke i dhënë një theks të veçantë poetikës, punimet në këtë seksion nuk kërkojnë të kënaqin publikun, përkundrazi ato paraqesin kushtet minimale për krijimin e perceptimit vetjak.


Artistët

Silva Agostini, Brigita Antoni, Alma Bakiaj, Lumturi Blloshmi, Lirije Buliqi, Liljana Çefa, Donika Çina, Flaka Haliti, Blerta Hoçia, Majlinda Hoxha, Shpresa Faqi, Fitore Isufi – Koja, Ledia Kostandini, Edona Kryeziu, Hyrije Krypa, Iva Lulashi, Diana Miziri, Silvi Naçi, Matilda Odobashi, Greta Pllana, Edit Pula, Nurhan Qehaja, Alketa Ramaj, Miradije Ramiqi, Anila Rubiku, Merita Selimi, Marina Sula, Eli Xoxa, Alije Vokshi, Alketa Xhafa Mripa, Rudina Xhaferi, Violeta Xhaferi, Sofia Zengo Papadhimitri, Androniqi Zengo Antoniu, Valbona Zherka.

Kuruar nga Adela Demetja & Erëmirë Krasniqi


Ekspozitë prodhuar nga Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë & Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë