Violeta Xhaferi: Rishikime

Ekspozita retrospektive Violeta Xhaferi: Rishikime prezenton praktikën pesë dekadëshe të artistës. Ekspozita synon të nxjerrë në plan të parë veprën e Violeta Xhaferit, puna e së cilës vazhdimisht ka evoluar dhe është shfaqur si përgjigje ndaj zhvillimeve politike dhe shoqërore në të cilat ajo është përfshirë.

Ekspozita i bën bashkë mbi njëqind vepra ku përfshihen vizatime, kolazhe, piktura, grafika dhe një instalacion, e shoqëruar me materiale arkivore. E organizuar në bazë të periudhave të caktuara kohore, ekspozita prezenton mënyrat se si artistsja ndërthur mjete dhe materiale të ndryshme për të krijuar botëkuptime. 

Violeta Xhaferi është një nga artistet më pa kompromis të brezit të saj, e cila njihet për qasjen e saj ndërdisiplinore. Vizatimet dhe kolazhet e kostumeve të cilat ajo i ka prodhuar në vitet 1970-1980 sintetizojnë kontributin e saj të paçmueshëm në Teatrin Kombëtar të Kosovës si kostumografja e parë e trajnuar akademikisht në Kosovë. Gjatë mërgimit në Norvegji në vitet 1990 ajo ka krijuar piktura dhe grafika që pasqyrojnë pikëpamje kritike dhe prekëse të konfliktit dhe situatës gjeopolitike të Kosovës të asaj periudhe. Angazhimi i saj me çështjet urgjente sociale bëhet edhe më tej i dukshëm në tërësinë e veprave të krijuara në fillim të viteve 2000. Krahas veprave të saj të njohura, e të pa prezentuara më parë, ekspozita sjell edhe një instalacion të ri në kanavacë, me peizazhe sublime të natyrës. Ekspozita jehonë vendosmërinë e Xhaferit për të përmbysur strukturat shoqërore dhe shpërfaq shtrirjen e gjerë të praktikës së saj të mprehtë.

Opusi i Xhaferit karakterizohet nga këndvështrime kritike, magjepsëse dhe të gëzueshme për jetën e përcillet me një ndjenjë të palëkundur urgjence për të reaguar ndaj çështjeve që mbesin të rëndësishme edhe për të tashmen. Kjo ekspozitë shpalos një pasqyrë të jashtëzakonshme të trashëgimisë së anashkaluar dhe praktikës së gjerë të Xhaferit përmes së cilës sfidohen narrativat mbizotëruese të historisë së artit në kontekstin lokal dhe ndërkombëtar.