Halil Muhaxheri / ...në shqetësime dhe heshtje...

Ka shumë gjëra të cilave njeriu u jep vlerë, të cilat vdesin e shkojnë së bashku me të, kurse idetë dhe veprat e dobishme të piktorit mbesin të gjalla dhe jetojnë deri në pafundësi. Halil Muhaxheri nuk i takon atyre artistëve që synojnë ta trasojnë rrugën dhe pastaj të ecin të sigurt nëpër të. Ai vazhdimisht kërkonte, kthehej, ndryshonte, parapëlqente një veprim të caktuar për një periudhë, për të ndërtuar pak më vonë një botë tjetër. Shpesh thoshte se piktura nuk duhet t’i ngjasojë pikturës si veja vesë, e për këtë edhe ne pajoheshim me të. Ai vazhdoi me zgjidhjet dinamike tejet ekspresive dhe në hap me kohën, nga figurativizmi ekspresiv, tek enformeli e pejsazhi asociativ deri tek zgjedhjet avangarde. Është një rrugë që ka pikat e dallimit, ku shenjat, simbolet, kompozicioni dhe hapësira paraqesin një kronologji të veprimtarisë së Muhaxherit. Veprat e artistit janë mjaft të pasura me simbole mistike, si dhe ato të jetës reale. Dallimi i këtyre dy trajtave në mënyrën e shprehjes së tij nuk i vështirëson planet e komponimit. Në planin e parë vezullon shtypja , e pikëlluara, e errëta, e vdekshmja (rrotat e automjeteve garuese, dhe nudot).